Madhështorja Kupë e Gjermanisë, ekipi i kategorisë së katërt “flak” Leverkusenin!

Nuk mund të cilësohet si e papritura më e madhe e të gjitha kohëve, por është sërish një nga mrekullitë. Kështu quhet kur një ekip i kategorisë së katërt hedh nokaut një “korracatë” të Bundesligës siç bëri Rot Vajs i Esenit me Bajerin e Leverkusenit. Përfundoi 2-1 në “Stadion Esen”, pra në favor të ekipit të trajnerit Kristian Najdhart, që luan në Ligën Rajonale të Perëndimit. Diferenca mes dy ekipeve është kaq e madhe saqë skuadra e Leverkusenit vlen 297 milionë euro, ndërsa ajo e Esenit vetëm 2 milionë. Një diferencë 150-fish apo 295 milionë euro!

U deshën 120 minuta dhe madje Leverkusenit nuk i bëri punë goli i Leon Bejlit në 105’, pasi Oguzhan Kefkir dhe Simon Engelman përmbysën shifrat. Ky i fundit shënoi 3 minuta para sesa të mbyllej shtesa e dytë, kur pritej të gjuheshin penalltitë. Rot Vajs Eseni ka fituar Kupën e Gjermanisë në 1953 dhe madje edhe kampionatin në 1955 kur ishte një skuadër e fortë. Kupa e Gjermanisë ka qenë një garë e preferuar ë “bardhekuqve”, që kthehen në çerekfinale pas plot 27 vjetësh. Një turp për Leverkusenin që u eleminua nga goli i Engelmanit, një lojtari kartoni i të cilit vlen vetë 175 000 euro.

Sfidanti.al