Është padyshim një nga lojtaret më të mira të botës, dhe e ka gjithë të ardhmen përpara. Paola Egonu, vajza me nënshtetësi italiane dhe me origjinë nga Nigeria, është kthyer në një ikonë të volejbollit të Italisë, duke shkëlqyer me kombëtaren dhe me skuadrën e klubit, Imoko Konelianon. Mbrëmjen e kaluar ajo ishte e jashtëzakonshme në ndeshjen e 6-të në grup në Champions ndaj turkeve të Fenerbahçes, fituar 3-1 nga Imoko Koneliano dhe në të cilën Egonu shënoi 28 pikë. Kjo ishte fitorja e gjashtë në grup e italianeve, nga 6 ndeshje gjithsej, diçka e madhe kur përballë ishte një superfuqi financiare si Fenerbahçe.
Vetë klubi turk i ka bërë ofertë Egonusë për sezonin e ardhshëm duke i premtuar deri në 1 milionë euro, sipas asaj që raporton “La Gazeta delo Sporti”. Kurrë më parë, një volejbolliste femër nuk ka arritur të marrë një rrogë të tillë. Egonu është 22 vjeç, 1.93 metra shtatlartë dhe 79 kg me peshë. Ajo ka fituar 8 trofe të rëndësishme në karrierë, mes të cilave 2 tituj në Serinë A, Championsin në 2019 dhe Kupën e Botës për klubet.
Sfidanti.al