Çelsi i Tuhelit, dominim e futboll sulmues, por me titullin i ka “larë duart”!

Ndeshja e parë është gjithnjë e para, më shumë ajo që ka lënë paraardhësi sesa ajo që kërkon ti, dhe Blutë e Londrës u dukën ende si në ngërç në fillimin e “mbretërimit” të Tomas Tuhelit. Trajneri gjerman u detyrua të kënaqej me një barazim pa gola në “Stemford Brixh” ndaj Uolvesit, një ndeshje aspak e lehtë, ndërsa pati “dritë dhe hije” në debutimin e tij. Çelsi pati më shumë pasime se çdo ekip tjetër në Premier Ligë këtë sezon, plot 820, por nuk krijoi dot raste të pastër. Vendasit dominuan zotërimin e topit dhe shpesh treguan futbollin e shpejtë, sulmues dhe kombinativ që kërkon Tuheli, veçse ishin padyshi një vepër e papërfunduar.

“Jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit, – tha tekniku më pas, – luajtëm shumë mirë dhe nëse vazhdojmë kështu fitoret do të vijnë. Unë e di se kam ardhur këtu për të luftuar për tituj, për Premier Ligën, Championsin dhe kupat, por këtë vit diferenca është shumë e madhe dhe ne duhet të luftojmë për të kapur katër vendet e para”. Analistët u treguan të kujdesshëm në vlerësimet e tyre duke thënë se “zotërimi i topit nuk është gjithçka” e duke kërkuar që Tuheli të aktivizojë Mejzën Mauntin për më shumë shanse në sulm.

Sfidanti.al