Siti në krye të Premier Ligës, në fushë ishin 11 apo 12 lojtarë?!

Me të drejtë mediat angleze shkruajtën pas fitores 5-0 në fushën e Uest Bromit se, kur arrin një nivel të tillë Mançester Siti duket sikur ka më shumë lojtarë në fushë sesa 11 të formacionit që janë lajmëruar që në fillim. Kaq shpejt lëviz topi dhe po ashtu lojtarët pa top saqë të bën të mendosh se ndonjë i 12-të ka hyrë “rrëshqanëthi” në fushë për të bërë lëmsh arbitrin dhe kundërshtarin. Gjithsesi, shakaja mënjanë, skuadra e Pep Guardiolës luajti me 11 vetë, por pati edhe zëvendësues në nivelit të lartë, si dhe të tjerë në stol.

Kjo fitore bëri që Siti të kthehej në krye të renditjes së Premier Ligës me 41 pikë ndaj 40 të Mançester Junajtidit duke pasur të njëjtin numër ndeshjesh (19). Siti ka të njëjtin numër golash të shënuar si “djajtë e kuq”, 36, por ka pësuar shumë më pak (13 ndaj 25). Ilkai Gyndogan shënoi dy herë, Zhoao Kanselo, Rijad Mahrez dhe Rahim Stërling shtuan rrjetat e tjera, ndërsa Fil Foden luajti ndeshjen e 100-të për “qytetarët”.

“Një paraqitje e mirë dhe një rezultat i mirë, – tha Guardiola, – u përpoqëm që lojtarët në ishin në pozicionet më të mira, të ishim kokëulur dhe të përqëndruar dhe të respektonim rivalin. Luftuam shumë pasi futbolli është i vështirë, por përkushtimi ishte shumë i mirë. E rëndësishme që secili bëri detyrën dhe që krijuam shumë raste. Tani kemi 2 ditë për Shefild Junajtidin. Kjo është mënyra e vetme që unë njoh si trajner, të përgatitem menjëherë për ndeshjen e radhës”.

Sfidanti.al