Barça në botën e çudirave, premtohet lavdia me mbi 1 miliardë euro borxhe!

Të pyesësh sërish nëse Lionel Mesi do të qendrojë apo do të largohet, duket si një mërzitje e vërtetë. “Saga” e argjentinasit është luajtur kaq herë saqë vështirë të gjesh telespektatorë të interesuar për ta ndjekur sërish, ndërsa Barcelona ka një problem edhe të madh. Si të mbijetosh dhe të kthehesh në nivele të larta me detyrime prej mbi 1 miliardë euro borxhe, nga të cilat 126 milionë eurosh duhet të paguhen shpejt. Sipas raporteve zyrtare nga Spanja, katalanasit ia detyrojnë këtë shumë 19 klubeve, dhe gati 30 milionë euro nga këto janë vonesë pagese për Liverpulin, të cilit i morën Filip Kutinjon. Sa shumë kanë ndryshuar gjërat që nga parashikimi për sezonin 2019-2020, kur Barcelona duhej të bëhej i pari klub në botë në futboll që të arrinte xhiron vjetore prej 1 miliardë eurosh. Tashmë, drejtuesit kanë ulur shpenzimet me gati 80 milionë euro me largimin e Semedos, Arturit, Rakitiçit dhe Kukurelës, por ende duhen ulje rrogash dhe shlyerje detyrimesh.

Sfidanti.al