Prag Inter-Milan, derbi i Kupës quhet sfida e së vërtetës!

Nuk do të jetë si katër vjet më parë. Një derbi është një emocion i pangjashëm me asgjë tjetër, veçse ky që do të luhet sonte në “San Siro” për fatin e keq nuk do t’i ketë tribunat plot siç ndodhi kur Kutrone i dha fitoren Milanit në Kupën e Italisë në 2017. Në orën 20:45 luhet sërish për Kupën, një çerekfinale që i afrohet një finaleje të parakohshme, ndërsa dy ekipet e Lombardisë duan të konfirmohen plotësisht këtë sezon.

Përveçse rivalë për titull në Serinë A, ata synojnë të luftojnë për çdo trofe të mundshëm. Derbi i kampionatit u fitua nga Milani, ashtu si sfida e fundit në Kupë në 2017, por një parashikim është shumë i vështirë për t’u bërë.

“Të lindur për derbin, – titullon “La Gazeta delo Sport”, me fotot e Ibrës dhe të Lukakut në kopertinë, – Inter-Milan brenda ose jashtë! Luhet për kupën, por rëndësia është më e madhe se kaq!”

“Derbi me nervat tel, – shkruan “Il Korriere delo Sport”, – në prag çerekfinalja e Kupës. Konte rrezikon dënimin e rëndë, Pioli nuk fle, është si një finale. Mund të jetë sfida e së vërtetës”.

Konte e mori dënimin, pasi u pezullua sot për 2 ndeshje në Serinë A nga Komisioni i Disiplinës pas protestave ndaj arbitrit në ndeshjen e barazuar 0-0 ndaj Udinezes. Trajneri i Interit do të ndryshojë katër lojtarë nga formacioni që luajti në Serinë A në Udine, dhe mes tyre spikat Lautaro Martinez që duket i lodhur. Vetëm D’Ambrozio mungon për shkak dëmtimi.

“Pres një ndeshje shumë të fortë mes dy ekipeve që do të duan të fitojnë patjetër, – tha Konte, – sepse është në lojë një gjysmëfinale për një trofe kombëtar. Përveçse është çerekfinale e Kupës është edhe një derbi, dhe kjo e bën ndeshjen edhe më të fortë. Do të duhet të jemi më cinikë, ndryshe do ta kemi pisk. Milani është i fortë dhe nuk është vetëm Ibrahimoviç”.

Po Milani si pritet të paraqitet sot? Disfata e rëndë ndaj Atalantës në “San Siro” nuk ia hoqi titullin kampion i dimrit, por e tronditi thellë. Trajneri Stefano Pioli do të bëjë 5 zëvendësime tek titullarët, për të lënë pas humbjen, por edhe për të ruajtur forcat. Manxhukiç e Tonali nuk janë grumbulluar, ndërsa Kalulu, Çalhanoglu, Benaser dhe Gabia janë me probleme fizike.

“Është një konkurrim i veçantë ku gjithçka vendoset në 90 minuta apo deri tek penalltitë, – thotë Pioli, – është një trofe në lojë që padyshim duam që ta fitojmë. Përsa i përket derbit në kampionat kemi kohë një muaj. Kundërshtari është i fortë, i rrezikshëm, por ne duam që të kthehemi tek ndeshjet e mira dhe rezultatet pozitive”.

Milani ka bilanc më të mirë në Kupë, me 10 fitore, 7 barazime e 7 humbje, ndonëse Interi ka më shumë trofe, me 7 ndaj 5 të kuqezinjve.

Formacionet e mundshme:

Interi (3-5-2): Handanoviç, Shkriniar, De Vraj, Kolarov, Darmian, Barela, Brozoviç, Vida, Perishiç, Lukaku, Sançez. Tr. Konte

Milani (4-2-3-1): Tatarushanu, Dalo, Kjer, Romanjoli, Teo Hernandez, Meite, Kesi, Zelemekers, Brahim Diaz, Leo, Ibrahimoviç. Tr. Pioli

Sfidanti.al