Suarez krah Mesit në krye të golshënuesve, Atletiko në krye të Ligës!

Kapiteni i Barcelonës u skandalizua kur mori vesh verën e kaluar se trajneri Ronald Kuman i kishte thënë Luis Suarezit se nuk ishte më në planet e tij. Kjo ishte një tjetër goditje që e la Mesin të zemëruar me drejtuesit e klubit, dhe ai e shprehu hapur në intervistë për mediat se “është çmenduri që Barcelona lejoi që një lojtar si Suarezi të bashkohej me një ekip që ka të njëjtat objektiva si ne”.

Falë Suarezit, Atletiko po e realizon objektivin e tij në kurriz të Realit dhe të Barcelonës. Vlera e paçmuar e sulmuesit uruguajan u duk qartë mbrëmjen e fundit kur ai shënoi dy herë në fushën e Eibarit duke i dhënë fitoren 2-1 skuadrës së trajnerit Diego Pablo Simeone. Edhe pse në dizavantazh, madrilenët përmbysën shifrat dhe Suarezi shënoi me aksion nga loja, e pastaj me penallti “Panenka” që e fitoi po vetë.

Ai ka 11 gola në La Liga, duke qenë në krye të golshënuesve bashkë me Mesin, por më e rëndësishmja është që Atletiko ka 44 pikë, 7 më shumë se Reali e 10 më shumë sesa Barcelona, ndërsa ka ende një ndeshje të prapambetur. Këtë sezon, skuadra e Simeones po shënon më shumë se më parë (33 në krahasim me 30 të Realit e 37 të Barçës), dhe kjo kryesisht falë kontributit të Suarezit. Titulli duket më i arritshëm se kurrë.

Sfidanti.al