Me filozofinë e Diego Pablo Simeones nuk ka qenë kurrë një skuadër e bukur për t’u parë, përveçse për t’u vlerësuar për shpirtin luftarak të paepur. Përtej cilësive që nuk i kanë munguar, ndoshta komplekset e së kaluarës, mënyra sesi e mendon futbollin trajneri, dhe diferenca në potencial e në përvojë me “gjigandët” e detyronin Atletikon e Madridit që të fitonte duke shënuar “me pikatore”, aq sa shpesh kjo e dënonte për të mos arritur objektivat për trofe.
Këtë vit duket se është ndryshe. Fitorja 2-0 ndaj Seviljes në “Uanda Metropolitano” bëri që Atletiko të arrinte në kuotën e 31 golave të shënuar, që do të thotë gati 2 gola për ndeshje. Një sasi e jashtëzakonshme për epokën e trajnerit argjentinas, madje një mesatare mjaft më e mirë sesa e Realit, dhe thuajse e barabartë me atë të Barcelonës. Skuadra e Zidanit ka vetëm 30 gola në 18 ndeshje, Barça ka 37 rrjeta në 18 ndeshje, ndërsa të besuarit e Simeones kanë 31 në 16! Atletiko ka 41 pikë ndaj 37 të Realit dhe është kampion i dimrit një javë para arritjes së gjysmës së sezonit në La Liga. Nëse fiton ndeshjet e mbetura, arrin në 47 pikë, pra 10 më shumë se yjet e Zidanit dhe 13 mbi të besuarit e Kumanit.
Përse ky ndryshim i Atletikos? Luis Suarez padyshim që ka luajtur një rol të madh, por jo vetëm ai. Ekipi ka më shumë potencial sulmues me Suarezin, Korrean, Karraskon, mbështetur nga Lemari, Jorente, Tripier apo Koke. Për më tepër, ndaj Seviljes e nisën nga stoli yje si Zhoao Feliks, Saul, Lukas Toreira apo Vitolo.
Sfidanti.al