Kritika e gazetarit-tifoz: Po humbet entuziazmi që luan për Realin!

Tomas Ronsero është një njeri i medias, por edhe një “i sëmurë” pas ngjyrave merenges. Media sportive “AS” e ka pjesë të vetën dhe shpesh analizat e tij janë të goditura, sepse flet jo vetëm siç i thotë zemra, por edhe me mendje “analitike” dhe të ftohtë. Pasi ndoqi barazimin “e akullt” të Realit në fushën e Osasunës në La Liga, Ronsero u shpreh tepër i shqetësuar. “Nuk doja të shpërtheja që në ndeshjen ndaj Elçes, por kjo e sotmja ishte më keq, – tha ai, – Madridi pushoi një javë, vërtet qendroi 4 orë në avion, por me miq e me shokë, ndërsa gjatë ndeshjes nuk pati stuhi, as erë, fusha ishte në gjendje të mirë. Po humbet entuziazmi që duhet të kenë lojtarët që luajnë për Realin. Hazari duhet të jetë një lojtar i Realit. Për rrogën që merr, është i tillë”.

Kritik edhe ish-ylli i Realit, Predrag Mijatoviç, shënues i golit të fitores ndaj Juventusit në finalen e Championsit në 1998. “Reali humbet pikë në ndeshje që duhet t’i fitojë, – ishin fjalët e tij, – dominoi, por nuk krijoi rrezik. Kur Benzema është keq, Madridi nuk është mirë. Duhet të jenë të shqetësuar, nuk ishte problem cilësia e fushës, nuk meritonin të fitonin”. Reali barazoi 0-0 ndaj një Osasune që i mungoi vetëm goli, dhe renditja tani është vështirësuar. Ekipi i Zidanit ka 37 pikë në 18 ndeshje ndërsa Atletiko ka 38 pikë në vetëm 15. Për më tepër, është afruar Barcelona në 34 pikë.

Sfidanti.al