Ishte sfida mes yjeve më të mëdhenj europianë në NBA, diçka që të kujton të kaluarën kur luanin Petroviç, Sabonis, Divac, Kukoç apo Novicki. Për më tepër, Luka Donçiç e Nikola Jokiç po i përngjajnë më shumë figurës dominuese të Novickit dhe synojnë të udhëheqin ekipet e tyre ashtu si gjermani legjendar. Dueli mes tyre ndodhi mbrëmjen e fundit në Denver dhe përfundoi barazim me pikë, por Dallasi triumfoi jashtë fushe për një fitore të rëndësishme.
Donçiç shënoi 38 pikë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 13 asistë pra duke qenë pranë tripëll dabëllit të dytë radhazi, me ndeshjen që shkoi në kohën shtesë dhe përfundoi 124-117 për miqtë. Slloveni 21-vjeçar shtoi edhe 4 vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje, ndonëse pati 8 humbje topi dhe gaboi disa herë në provat për të shënuar. Jokiç u përgjigj po me 38 pikë, duke bërë edhe ai disa gabime në gjuajtje. Qendra serbe pati edhe 11 topa në tabela, 4 asistë e 2 vjedhje topi, duke ndihmuar Denverin të çonte sfidën në kohën shtesë, por aty Donçiç me shokë u treguan më të saktë.
Sfidanti.al