Liga franceze është mësuar me përralla të reja këtë sezon. Faza e parë kaloi me Nisën si kryefjalë, ndërsa bashkë me janarin erdhi emri i ri, Julian Draksler. Futbollisti gjerman, me dy gola në dy ndeshjet e para për ekipin e tij të ri, ndihmoi Paris SG që të kualifikohej fillimisht në Kupë, dhe më pas i dha tri pikët në kampionat. Suksesi 1-0 në Renë bëri që PSG të ngjitej në kuotën e 42 pikëve, vetëm 3 pikë pas vendit të parë.
Nisa, ndërkaq, nuk po di të fitojë gjatë vitit të ri. Skuadra e trajnerit Lysien Favre ka dalë dy herë barazim 0-0, në kupë dhe në kampionat, dhe duket se po ndjen vështirësi për shkak të mungesës së Mario Balotelit. Ndaj Mecit nuk u arrit të shënohej dot asnjë gol, edhe pse ndeshja u luajt në shtëpi. Gjithsesi, Nisa dhe Paris SG do të kenë një rival të rrezikshëm këtë edicion, Monakon, që shënon më shumë se të gjitha skuadrat e tjera në Francë.