Lebroni ka rigjetur rivalin e tij të madh, jo Antetokumbon, por Durantin!

Ishte e pritshme që duelet e Krishtlindjeve do të na jepnin spektaklin, por edhe përfundimet se cilët mund të jenë dominuesit e NBA-së këtë sezon. Pasi i ndoqëm, mund të themi se Lebron Xhejmsi dhe Lejkërsat mbeten të fuqishëm, por “Mbreti i basketbollit” e ka gjetur më në fund rivalin e duhur. Më mirë të themi që e ka rigjetur sepse Kevin Duranti ka qenë yll i NBA-së edhe më parë madje me dy tituj kampion, ndërsa tani është kthyer nga dëmtimi që e la jashtë për një vit e gjysmë.

Fitorja e Bruklinit në fushën e Bostonit, 123-95, tregoi se cila është skuadra më e fortë e Lindjes, ndonëse Miluoki dhe Janis Antetokumbo nuk do të jenë dakord me këtë konkluzion. Kevin Duranti dhe Kajri Irvingu kombinuan për 66 pikë, duke u shkëputur pas pushimit në fushën e njërit prej rivalëve më të fortë. Duranti shënoi 29 pikë duke mos u lodhur shumë, ndërsa Irving pati një lloj hakmarrjeje në rikthimin në Boston duke shënuar 37 pikë e duke dhënë 8 asistë. “Është kënaqësi ta shohësh Kevinin në këto nivele pas kaq vjetësh dhe pas dëmtimit që pati, – tha trajneri i Netsave, Stiv Nesh, – ai ka momente kur duket sikur nuk mund të ndalet, sikur është duke fluturuar”.

Lebroni dhe Lejkërsat u përgjigjën menjëherë me fitoren e madhe 138-115 ndaj Dallasit. Edhe pse Luka Donçiç luajti mirë duke shënuar 27 pikë, sërish ai ishte tepër pak për Dallasin. Xhejmsi shënoi 22 pikë kapi 7 topa në tabela e shërbeu 10 asistë, duke qenë pranë një tripëll dabëlli, ndërsa Entoni Dejvis luajti po kaq mirë me 28 pikë, 8 topa në tabela, 5 asistë e 2 vjedhje topi.

Sfidanti.al