Tek Juvja nisin të kuptojnë se problemet nuk kanë lidhje me emrin e trajnerit!

Në mënyrë figurative, në një koment të “Il Korriere delo Sportit” shkruhet se kampionët e Italisë kanë nisur të kuptojnë se nuk janë më në qendër të një “sistemi diellor”, dhe se “planetët” e tjerë, pasi u rrotulluan për 9 vjet rreth “Zonjës së Vjetër”, kanë marrë trajektoren e interesave të tyre duke shkatërruar gjithë sistemin. Ndoshta është momenti i ndryshimit të një epoke, pra mbylljes së saj dhe hapjes së një tjetre, ndoshta lavdia e Bufonit, Kielinit, Bonuçit apo Ronaldos nuk mjafton për të dominuar Serinë A, por drejtuesit piemontezë po kuptojnë se problemet e tyre nuk mund të zgjidhen duke ndryshuar trajnerin. Largimi i Alegrit, një sezon prove i Sarrit dhe shpresa tek personaliteti i Pirlos tregojnë se trajneri nuk mund të bëjë mrekulli. Sarri cilësohej trajneri më novator i Italisë, më i guximshmi dhe më origjinali, por tek Juvja nuk patën durim për ta pritur, për më tepër me përplasjet me Ronaldon. Alegri nuk pëlqehej më për futbollin pa të papritura, pra jo me emocionet që kërkon futbolli si biznes dhe për publikun, ndërsa Pirlo është ende i ri për të krijuar sistemin e tij. Ku i dihet, ndoshta Juvja do ta presë, por duhet të krijojë edhe një skuadër të re.

Sfidanti.al