Lebron-Donçiç, Antetokumbo-Kërri, çfarë duelesh në NBA për Krishtlindje!

Kalendari është i tillë që ofron një program të denjë për një festë. Njerëzit duan të kënaqen, pavarësisht se cili është emri i festës, dhe NBA ka menduar për t’ua dhënë diçka të tillë. Në ndeshjet natën vonë, sipas orës së Shqipërisë, do të jenë përballë ylli i vjetër, por ende i momentit Lebron Xhejms, dhe ylli i ri dhe i së ardhmes, Luka Donçiç. Në Los Anxhelos, sfidohen Lejkërsat dhe Dallasi, me sllovenin që është 21 vjeç, ndërsa Lebroni për pak ditë bën 36.

Një duel tjetër i madh është ai mes Janis Antetokumbos, lojtarit më të mirë të NBA-së në dy sezonet e fundit, dhe Stefën Kërrit, tri herë kampion. Miluoki pret Golden Stejtin, dhe të dyja skuadrat duan të lenë pas humbjen e ndeshjes së parë, me vendasit që janë favoritë. Boston Sëlltiks pret Bruklin Netsat, pra dyshja Kevin Durant-Kajri Irving luan ndaj disa basketbollistëve shumë të mirë, mes të cilëve shkëlqen Xhejzën Tatëm. Të mos harrojmë, ndeshjen tjetër të madhe mes Denverit dhe Klipersave, ku Nikola Jokiç e Xhamal Marrej do të bëjë duel me Kauaj Leonardin dhe Pol Xhorxhin.

Sfidanti.al