Në Europë nuk dihet nëse do të rritet ndonjëherë sa duhet për të fituar një Champions, por kur vjen puna në Angli, Mançester Siti është një garanci. Vërtet në Premier Ligë këtë sezon ende nuk është aq lart sa duhet, por nuk fal në kupat nga të cilat ka fituar shumë këta vjet (Kupën e Anglisë në 2019, Kupën e Ligës në 2014, 2016, 2018, 2019, 2020 dhe Superkupën në 2018 e 2019). Fitorja 4-1 në “Emirejts” ndaj Arsenalit e kualifikoi për në çerekfinalen e Kupës së Ligës që në Angli njihet si Kupa Karabao për arsye sponsorizimi.
Siti u ndihmua nga gabimi i portierit rezervë Runarson, gafë që ndodhi në momentin më të mirë të Arsenalit ku ndeshja ishte 1-1. Gabriel Zhezus kishte shënuar për miqtë dhe Lakazetë kishte barazuar për “topçinjtë”. Gabimin e Runarsonit e ndëshkoi Rijad Mahrez, ndërsa më pas shënuan Fil Foden dhe Ajmerik Laporte. Gabriel Zhezus i dha fund “thatësisë” së tij të golit dhe kjo do ta ndihmojë në të ardhmen. Sa për Arsenalin, ai po shkon gjithnjë e më poshtë, edhe pse trajneri Arteta nuk diskutohet për t’u shkarkuar. Geri Lineker shkruajti në rrjetet sociale se “po bëhet gjithnjë e më e vështirë t’ia vesh fajin Mesut Ozilit”.
Sfidanti.al