Barça gjen Mesin më të mirë dhe kthehet si dikur!

Nuk dihet sesa do të vazhdojë kjo “simfoni” por, të paktën për herë të parë gjatë këtij sezoni kundërshtari ia pati frikën kësaj Barcelone. Me një Lionel Mesi të kthyer më në fund në nivelin e tij të zakonshëm, katalanasit nuk e patën problem që luajtën jashtë fushe dhe triumfuan 3-0 në stadiumin e Vajadolidit. Kapiteni shënoi golin e tretë dhe shërbeu asistët për dy golat e tjerë, të shënuar nga Lengle dhe Breithuejt. Argjentinasi ishte një frymëzim ndërsa Pedri ishte “dhuratë për Krishtlindje”, siç titullon me të drejtë gazeta “AS”.

Trajneri Kuman u tregua i guximshëm duke lënë në stol Busketsin, Grizmanin dhe Kutinjon, e duke hedhur në fushë tre mbrojtës, nga të cilët dy ishin 21 vjeç. Nuk është e lehtë që të ndërtohet e ardhmja e Barcelonës. Natyrisht, një sukses i vetëm sado i bukur, nuk mund ta ndryshojë fatin e këtij kampionati për katalanasit, pasi Atletiko e Madridit mbetet e pandalshme. Fitorja 2-0 në fushën e Sociedadit e shkëputi në 32 pikë me një ndeshje më pak, ndaj 24 të Barçës. Gjithsesi, një klub i madh mendon edhe për të ardhmen, dhe “blaugranët” ndoshta do të arrijnë të kthehen ata që ishin.

Sfidanti.al