Barcelona kaloi 5-0 Las Palmasin dhe Lionel Mesi shënoi, duke arritur një nivel të ri në karrierë. Argjentinasi tani mund të thotë pa u gabuar se i ka shënuar çdo ekipi kundërshtar në La Liga, që kur ai ka nisur të luajë futboll në Spanjë. Emri i vetëm që mungonte në listë ishte pikërisht ai i Las Palmasit dhe numri 10 plotësoi detyrimin me rrjetën në fillim të pjesës së dytë. Dy herë të tjera shënoi Luis Suarez, dhe nga një herë Arda Turan e Aleish Vidal, me katalanasit që tani janë vetëm 2 pikë prapa Realit, por me madrilenët që kanë dy ndeshje për të luajtur.
Mesi u barazua me legjendën madrilene, Raul Gonzales, pasi tani janë të dy lojtarë që kanë shënuar ndaj 35 skuadrave të ndryshme në ligën spanjolle. Pas shumë polemikave dhe dyshimeve, dhe pas shkarkimit të njërit prej drejtuesve që kishte kritikuar Mesin, presidenti i Barcelonës, Zhozep Bartomeu foli përpara ndeshjes duke deklaruar se Leo do ta lidhë të ardhmen e tij me klubin.
“Unë dua të qetësoj këdo, – tha Bartomeu, – ne gjithmonë i bëjmë me shumë kujdes dhe në mënyrë konkrete këto diskutime. Leo dëshiron të qendrojë këtu, dhe ne dëshirojmë që ai të jetë me ne, pasi është thelbësore për Barcelonën që ai të qendrojë”.