Aleksis Sançez është “simfonia”, por edhe “klithma” e Arsenalit në këtë edicion. Sulmuesi kilen shënoi gol në fitoren e thellë dhe të rëndësishme, 4-0 në fushën e Suonsit në Premier Ligë, por pati një reagim plot nerva në momentin kur trajneri Arsen Venger vendosi ta zëvendësonte. Sançez goditi duket se goditi një shishe me ujë, tepër i acaruar, ndërsa doli nga fusha 11 minuta para fundit. Po ashtu, ai edhe pse u ul në stol, vendosi të mos ndiqte lojën e shokëve të tij, por mbuloi kokën në mënyrë demonstrative me xhupin e tij personal.
Ky incident besohet se ka krijuar shqetësime të tjera tek Arsenali lidhur me të ardhmen e lojtarit të tyre më të mirë, që kërkon rrogë me mbi 200 000 stërlina në javë, diçka që klubi londinez nuk duket i gatshëm që t’ia japë. Ekziston rreziku që Aleksis Sançez, por ndoshta edhe Mesut Ozil, të tërhiqen nga milionat e Lindjes së Largme dhe të shkojnë në Superligën kineze.
Përtej kësaj, Arsenali fitoi 4-0 me gola të Olivie Zhirusë, Aleks Iuobit, Kajl Notonit (autogol) dhe vetë Sançezit, duke u ngjitur në kuotën e 44 pikëve, një pikë pas Totenhemit në vendin e tretë të renditjes, por kur ende Liverpuli apo Mançester Siti nuk kanë luajtur.
Rezultatet: Totenhem-Uest Brom 4-0, Suonsi-Arsenal 0-4, Bërnli-Sauthempton 1-0, Hull-Bornemuth 3-1, Sandërlend-Stouk Siti 1-3, Uatford-Midëllsbrou 0-0, Uest Hem-Kristal Palas 3-0.