Superliga, munden Vllaznia e Kukësi, Tirana ndalet nga Skënderbeu në Korçë!

Nuk ishte java e kryesuesve. Vllaznia e Kukësi pësuan humbje në xhiron e 9-të të Superligës, pra duke mos mundur të shkëputeshin më tej në fund të fazës së parë. Shkodranët u mposhtën në Laç dhe kuksianët në fushën e Kastriotit në Kamzë, me të njëjtin rezultat 0-1. Një gol i Xhixhës dy minuta para fundit vendosi fatin e ndeshjes në Kurbin, në një përballje që duhet thënë se ishte shumë e fortë, dhe me raste thuajse të barabartë për të dyja skuadrat. Vllaznia kryesuese tronditi edhe shtyllën e vendasve, por goli u shënua në portën tjetër, dhe trajneri Shpëtim Duro arriti fitoren e parë në stol. Kukësi, ndërkaq e pësoi herët golin në Kamzë, kur Kastrioti shënoi me Bardhin që në minutën e 17-të.

Një duel i fortë u zhvillua në Korçë ku Skënderbeu i bëri “bllokadë” Tiranës së Nevil Dedes. Edhe pse dizniveli mes dy ekipeve është i madh, sërish korçarët luftuan fort duke marrë pikën me shifrat 1-1. Ata shënuan të parët me anë të Marës në fundin e pjesës së parë, dhe krijuan edhe mundësi të tjera. Gjithsesi, potenciali më i madh i kampionëve bëri të vetin dhe kryeqytetasit ishin më të rrezikshëm në kërkim të golit të barazimit.

Çuditërisht, e gjetën pasi mbetën me 10 vetë, ndërsa Ismailgecaj u përjashtua nga loja me karton të kuq. Pa kaluar shumë minuta, kapiteni Batha barazoi me aksion individual, ndërsa tiranasit mbyllën ndeshjen në sulm, por pa dobi. Teuta nga ana e saj fitoi 1-0 në Fier me Apoloninë me golin e Lorenco Vilës që në minutën e  30-të. Në renditje, Vllaznia kryeson me 19 pikë ndaj 16 të Kukësit, ndërsa ekipet e tjerë janë afruar sado pak.

Sfidanti.al