“Milani ecën vetë”, ja që di të fitojë edhe pa Ibrën!

E mbani mend filmin e bukur të Kinostudios “Shqipëria e Re”, me Benin që shkoi në fshat dhe u shkathtësua. Milani i sotëm nuk pati nevojë për jetë fshati, por për një kampion si Zllatan Ibrahimoviç, si dhe për një strukturë drejtuese që, edhe pse me konflikte, krijoi projektin e duhur me Maldinin, Masarën, Gazidhisin dhe Eliotin. Kaq mirë ka mësuar të ecë vetë Milani i Piolit saqë nuk po ka nevojë as për Ibrën për t’ia dalë mbanë.

Fitorja 4-2 ndaj Sëlltikut në Ligën e Europës ishte prova e radhës, edhe pse nuk qe e thjeshtë, edhe pse kampionia e Skocisë nuk është më me aureolën e dikurshme, pra s’mund të quhet një barometër i vërtetë. Sidoqoftë ishte bukur që u fitua dhe u arrit kualifikimi një ndeshje para fundit,me portierin Donaruma më të mirin në fushë, me Çalhanoglunë dhe me Jens Peter Haugen.

“Jam shumë i lumtur, – theksoi norvegjezi i ri, – nuk e nisëm ndeshjen në mënyrën më të mirë, por gabimet janë gjëra që ndodhin. U përgjigjëm në mënyrë madhështore, dhe jam i lumtur për lojën e skuadrës. Unë punoj fort çdo ditë për t’u përmirësuar. Dua të mësoj çdo ditë, më pëlqen të punoj me këta shokë. Rezultatet në fushë më japin besim dhe kënaqësi”.

Sfidanti.al