Presidenti i ri i UEFA-s, Aleksander Çeferin u zgjodh në postin e tij duke premtuar më shumë ekuilibër në futbollin europian. Pak muaj pas marrjes së detyrës së lartë, atij i është dorëzuar një raport që besohet se e ka alarmuar. Dokumenti tregon se 9 klube të Europës janë duke u shkëputur nga të tjerët, duke krijuar dalë nga dalë një elitë të pakapshme, dhe kjo nëpërmjet rritjes tepër të madhe të të ardhurave.
Këto klube janë Mançester Junajtid, Mançester Siti, Arsenali, Çelsi dhe Liverpuli të Anglisë, Reali i Madridit e Barcelona të Spanjës, Bajerni i Mynihut në Gjermani dhe Paris SG në Francë. Çfarë i dalloi ata gjatë vitit të fundit? Të 9 këto superfuqi njohën rritje të të ardhurave me mbi 120 milionë euro në një vit, në bazë të raportit të fundit të kompanisë “Deloite & Tush” (Deloitte & Touch), në një kohë që pjesa më e madhe e 700 klubeve të tjerë të kontinentit mundën të rriteshin mesatarisht me 1 milionë.
Fitimet janë shtuar nga kontratat sponsorizuese dhe marketing e merçëndajzing (merchandising). Kjo situtatë, ka frikë UEFA mund të krijojë një realitet të ri shumë më të pabarabartë. Shqetësimi është i madh nëse shikon rrogat e gjashtë klubeve kryesorë të Premier Ligës, që nisin me Çelsin (217 milionë stërlina fatura e përgjithshme), Junajtid (204), Siti (194), Arsenali (192), Liverpuli (167) dhe Totenhemi (107).
Tronditëse edhe diferenca e ligave të mëdha me të tjerat. Premier Liga ka të ardhura për klub prej gati 200 milionë eurosh në vit, e ndjek Bundesliga me 140 milionë, La Liga me rreth 100 milionë, Seria A me diçka më pak dhe Liga franceze me “vetëm” 72 milionë. UEFA ende nuk ka një plan sesi do të veprojë për ta ndaluar këtë polarizim, ndërsa vlerëson se të paktën “Fair Play” financiar ka sjellë uljen e humbjeve.