Nuk ka më paqe nën ullinj. E kemi marrë borxh nga titulli i një filmi, por, tani e tutje, familja e Superligës nuk do të urdhërohet si një klasë me nxënës të bindur dhe kokulur nga prepotenca zyrtare. Teuta dhe Laçi janë kundër shtyrjes së kampionatit dhe presidenti Hasanbelliu ka një arsye e cila nuk merr përgjigje:“Nuk e kuptoj pse duhet të diskutohet shtyrja e kampionatit. Unë gjykoj se nuk ka arsye të shtyhet dhe për këtë jemi kundër si klub. Nëse do të kishte një arsye bindëse apo një rast, i cili e bën të detyrueshëm shtyrjen e kampionatit, do ta mirëkuptonim. Arsyeja e temperaturave të ulëta nuk mund të pranohet, jo se nuk duam ne, por ka shumë ditë deri në rifillimin e kampionatit dhe temperaturat do të jenë në rritje.
E përsëris, nëse do të kishte ndonjë arsye më të fortë, atëherë edhe ne do të ishim dakord, por nuk mund të shtyhet kampionati për gjëra të tilla. Ka një kalendar që duhet respektuar. Duhet të presim datën 21 janar”, ka deklaruar presidenti i Teutës, për të cilin këto ditë janë intensive sa i përket përforcimit të skuadrës. “Jemi në bisedime me disa lojtarë, por nuk kemi diçka konkrete. Në ditët në vazhdim do të kompletojmë ekipin”, përfundoi Hasanbelliu.