Tirana ngec edhe me Bylisin, kampionët drejt shkatërrimit të projektit fitues!

Është shumë e vështirë të ndërtosh diçka të mirë, por shumë e lehtë që ta prishësh. Ndoshta nuk është ende koha për të thënë se tek Tirana vërtet e kanë shkatërruar projektin që u kurorëzua me fitoren e titullit, por shenjat nuk janë të mira. Kampionët e Shqipërisë nuk morën dot më shumë se një barazim zhgënjyes pa gola ndaj Bylisit, madje brenda në “Selman Stërmasi”, ndërsa për të dytën ndeshje skuadra u drejtuar nga trajneri Nevil Dede, që zëvendësoi Emanuel Egbonë e shkarkuar nga klubi.

Jo vetëm rezultati që nuk ishte i mirë, por as loja nuk bindi, pasi mallakastriotët patën po aq raste sa vendasit, madje ishin më pranë fitores sepse goditën shtyllën në minutën e tretë shtesë, fare në fund. Pas humbjes në Shkodër në mesjavë u mendua se kryeqytetasit do të reagonin, por ata nuk arritën ta bënin e do të vazhdojnë të mbeten në gjysmën e poshtme të renditjes. Vetëm 1 fitore në 4 ndeshje janë një bilanc më shumë se negativ, ndërsa Egboja u shkarkua pas humbjes në Pogradec ndaj Teutës, ndonëse kishte fituar ndeshjen e parë kundër Kukësit në Korçë.

A ekziston shpresa se kampionët do të mundin të reagojnë? Natyrisht kohë ka dhe Dede do të ketë më shumë mundësi të punojë me skuadrën, por sa më shumë kalojnë javët, aq më shumë largohen bardheblutë nga objektivi i mbrojtjes së titullit. Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, Partizani triumfoi 3-0 në Fier me Apoloninë pas golave të Bitrit, Bardhit e Idrizat, ndërsa Kastrioti fitoi 2-1 ndaj Skënderbeut në Korçë.

Sfidanti.al