A është Lëvi njeriu i duhur për të drejtuar Gjermaninë?!

Kjo është pyetja që bëri e përditshmja “Bild”, dhe sapo bulevardeske që të jetë kjo gazetë, pikëpyetja ngrihet nga i gjithë opinion i futbollit në vend. Pra, duhet të vazhdojë Joakim Lëv në stolin e kombëtares, apo duhet të zëvendësohet nga një tjetër, ndërsa duhen edhe 7 muaj deri në finalet e Europianit. “Bildi”, me titullin e vet, ia faturon trajnerit përgjegjësinë për atë që ndodhi në Sevilje, duke komentuar: “Katastrofa e Jogit! 0-6 ndaj Spanjës, njëmbëdhjetëshi i Federatës (DFB-Elf) inkason disfatën më të rëndë që nga 1931!”

Joakim Lëv ka një kohë të gjatë në drejtimin e Gjermanisë, që pas Kupës së Botës 2006. Në 14 vjet, ai fitoi Kupën e Botës 2014, doli në finalen e Europianit në 2008, doli i treti në Botë në 2010, fitoi Kupën e Konfederatave në 2017, por në tre vitet e fundit nuk ka qenë aspak bindës. Bilanci i tij total është 120 fitore, 38 barazime e 31 humbje, por pas atij viti nisi rënia. Në Kupën e Botës 2018, Gjermania e Lëvit u eleminua në fazën e parë për herë të parë që nga viti 1938. Në Ligën e Kombeve, gjermanët dështuan në të dy edicionet. Kush mund të jetë pasardhës i Lëvit, nëse DFB vendos të veprojë? Në mediat gjermane po shkruhet për Ralf Rangnikun apo Stefan Kuncin, ndërsa ëndrra mbetet Jurgen Klopi ose Hansi Fliku. Pse jo, edhe Tomas Tuheli!

Sfidanti.al