Premier Liga mund të fitojë një karakter të madh si Boatengun!

Aventurës së tij tek Bajerni po i vjen fundi, me klubin që duket i vendosur të ndahet me të, dhe me futbollistin që nuk ka ndërmend të ulë nivelin kaq shpejt. Zherom Boateng mund të shkojë në Angli, aty ku Arsenali, Çelsi e Totenhemi janë gati të “përleshen” për të. Futbollisti 32-vjeçar njihet si karakter i fortë, njeri që nuk e ka pasur problem konfliktin edhe brenda skuadrës, si dhe me talent dhe përvojë. Në 2011 ai nuk mundi të shkëlqente në një Mançester Siti që ishte “kantier ndërtimi”, por Bajerni e kuptoi se mund të kishte sukses. Ashtu edhe ndodhi, me fitoren e shumë trofeve, të fundit Championsin verën e kaluar. Bavarezët, sidoqoftë, nuk duan një skuadër shumë të vjetër për të mos vuajtur si Barcelona, ashtu siç bëri edhe Joakim Lëv që e la jashtë kombëtares së Gjermanisë bashkë me Tomas Mylerin e Humelsin. Sidoqoftë, Boatengu është në formë të mirë dhe për një mbrojtës qendre 32 vjet moshë nuk janë aq shumë.

Sfidanti.al