Kush janë skuadrat që kanë shënuar më shumë gola në Serinë A deri tani? Asnjëra nga “gjigandet”, porse tashmë e zakonshme Atalanta dhe … Sasuolo. Ekipi i Gasperinit dhe ai i De Xerbit (De Zerbi) kanë shënuar nga 18 gola, ndërsa “të mëdhenjtë” kanë arritur deri tek 16-ta. Trajneri i Milanit, Stefano Pioli me siguri që e ka menduar këtë kur skuadra e tij mezi shpëtoi një barazim 2-2 me Veronën në “San Siro”, ku Zllatan Ibrahimoviç ishte edhe “i keqi”, edhe shpëtimtari, pasi humbi penalltinë dhe realizoi golin e barazimit në minutën e tretë shtesë.
“Ne reaguam si skuadër, – tha Pioli, pas sfidës së kampionatit, – por, Juvja, Napoli dhe Interi janë më të fortë se ne”. Kjo, edhe pse Milani e fitoi derbin. Antonin Barak kaloi veronezët në epërsi në 6’ dhe Davide Kalabria shkaktoi autogol në 19’. Shpejt erdhi autogoli i Manjanit (27’), por barazimi vonoi. Ibra humbi penalltinë në 66’ dhe shënoi në 90’+3. Milani 17 pikë, 5 fitore, 2 barazime, e vetmja skuadër pa humbje në ligë bashkë me Juventusin dhe … Sasuolon. Ashtu si Premier Liga dhe La Liga, edhe Seria A është e hapur “katërkanatësh” dhe lufta për titull ndoshta do të jetë shumë e fortë. Ku shkuan kohët e qeta dhe të lumtura kur Juvja e fitonte kampionatin radhazi?
Sfidanti.al