Duket ndonjëherë sikur po jetohet në një botë “zhgjëndër”, pra të pavërtetë. Të tillë disa rezultate të këtij sezoni të “infektuar”, dhe i tillë edhe grushti që mori Reali në “Mestaja”. Edhe pse stadiumi i Valencias nuk e kishte “barrën” me nja 50-60 mijë spektatorë të zjarrtë, që e bëjnë një ferr të vërtetë, sërish madrilenët u dukën sikur ishin të “leqendisur” në fushën e lojës. Humbja ishte 1-4, thuajse e pabesueshme për më tepër që në favor të vendasve u dhanë 3 penallti.
Pati akuza për VAR-in nga ana e Butragenjos (faull ndaj Asensios në 2-1 dhe faull në favor të Realit në penalltinë e dytë, sipas tij), por pati edhe një deklaratë të prerë të Zinedin Zidanit se “fajtori për këtë që ndodhi jam unë”. Mediat e Madridit veçuan disa individë si më shumë fajtorë se të tjerët, dhe mbi të gjithë Marselon e Varanin, që të dy mbrojtës. Marselo mund të veçohet edhe vetëm duke parë foton e botuar nga “AS”, kur shfaqet duke qeshur, ndërsa kapiteni Ramos është në kulmin e nervave pas pësimit të një goli. “Marselo duket si spektator luksoz në rastin e penalltisë”, – shkruan “AS”, që shton se “Varan është keq, sa herë që gabon pësohen gola”. Karlos Soler shënoi të 3 penalltitë, ndërsa Karim Benzema doli nga loja i dëmtuar. Reali ka mbetur 4 pikë pas vendit të parë, Sociedadit, ndonëse ka një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa lufta për titull është e hapur dhe Atletiko duket më e favorizuara për momentin.
Sfidanti.al