Etrit Berisha pret penalltinë dhe fiton: Pikë për në Serinë A!

Ka zbritur në kategori, por nuk ka ndërmend të zbresë si nivel. Etrit Berisha priti penalltinë e dytë në pak javë në Serinë B, dhe skuadra e tij, SPAL e Ferrarës, triumfoi 1-0 në fushën e Rexhinës. Miqtë nuk shkëlqyen, por patën në portë Berishën si dhe patën fat kur vendasit goditën shtyllën. Jo më kot, gardiani i kombëtares shqiptare u vlerësua si më i miri në fushë.

“Këto ishin pikë të rëndësishme për Serinë A, – tha Berisha, – ishte themelore të fitonim ndaj një skuadre të fortë, sidomos fizikisht. Shokët luajtën mirë, dhe unë pata pak punë, përveç penalltisë. Natyrisht e kisha studiuar mënyrën sesi gjuan Denis, këtë e bëj me çdo kundërshtar. Duam që të kthehemi në Serinë A, por duhet të bëjmë më shumë”. Spali është në vendin e 7-të në Serinë B me 9 pikë, duke qenë në zonën e plej ofit për në Serinë A.

Sfidanti.al