Lionel Mesi “i pandryshueshëm” dhe trajnerët e Barcelonës!

Kike Setien, tekniku i parafundit katalanas, u shpreh për gazetën “El Pais” se ai e kishte të pamundur ta ndryshonte Lionel Mesin. Kuptimi i fjalëve të tij, padyshim ishte, që ai pati ide të tjera taktike, por një futbollist si Mesi nuk mundi ta bënte që të përshtatej me skemat e tij. “Kush jam unë që ta ndryshoj atë, – tha Setieni për të përditshmen spanjolle, – si mund të ndodhë kjo, kur ai është pranuar ashtu siç është gjatë gjithë kohës”.

Në të vërtetë, trajnerë si Pep Guardiola dhe Luis Enrike patën autoritetin që të diskutonin taktikisht me argjentinasin. Pepi ndoshta e pati më të lehtë sepse Mesi ishte ende tepër i ri, ndërsa Luis Enrike ndodhi që e la edhe në stol. Me gjasë është çështje autoriteti dhe inteligjence. Dekada më parë, trajnerët e Francës, Mishel Hidalgo dhe Henri Mishel, thoshin se një lojtar si Mishel Platininë e linin të lirë në fantazinë e vet, ndonëse edhe ai kishte detyra të caktuara në skemën e skuadrës. Në fund të fundit, kush mund të thoshte se kontrollonte në fushë Diego Armando Maradonën, apo sot një të tillë si Zllatan Ibrahimoviçin? Siç thotë fjala popullore, në raste të tilla është “tërhiq dhe lësho”, ose “lëshoi pe balonës”.

Sfidanti.al