Çmenduria e “Kovid-futbollit” vazhdon, Lidsi i bën tre “petlla” Aston Vilës!

Tifozët e kampionatit shqiptar që e kanë ndjekur atë në vitet 80-të duhet ta mbajnë mend sesi 17 Nëntori i atëhershëm (Tirana) triumfoi me “orarin zyrtar” 7-3 ndaj Partizanit në 1985-1986, dhe sesi po në atë sezon, Dinamo fitoi 5-3 ndaj 17 Nëntorit, për t’u shpallur në fund fare kampion. Pra, nuk duhet të çuditemi aq shumë që Aston Vila që i kishte fituar të 4 ndeshjet e mëparshme në Premier Ligë (madje me golat 12-3) pësoi një humbje të rëndë 0-3 në fushën e vet nga Lids Junajtid. Të tre golat u shënuan nga i njëjti lojtar, Patrik Bamford. Kjo ishte një tjetër provë se ky “kovid-futboll” do të vazhdojë të jetë i çmendur, sidomos pa praninë e publikut në stadiume, diçka që i shkon shumë për shtat një të “çmenduri” si Marselo Bielsa, trajneri i Lidsit. Tashmë, Lidsi është në vendin e tretë në renditje me 10 pikë, edhe pse në 6 ndeshje, ndërsa Evertoni kryeson me 13 (5 ndeshje) e Aston Vila ka 12 (5). Liverpuli i ndjek po me 10 pikë, ndërsa Totenhemi ka 8, Siti 7 dhe Man. Junajtid 6!

Sfidanti.al