Shpërthen coronavirusi te Salzburg në kampionatin austriak

Coronavirusi vazhdon të prekë klubet e futbollit evropian. I fundit në listë është Red Bull Salzburg. Skuadra austriake nëpërmjet një komunikate për shtyp bëri të ditur se 3 futbollistë pa i zbuluar emrat e tyre, kanë rezultuar pozitivë në testet për Covid të kryera pas ndeshjes së playoffit të Ligës së Kampioneve me Maccabi TelAviv në 30 shtator

Salzburg thekson se asnjë prej futbollistëve të prekur nuk kanë shfaqur simptoma dhe janë të izoluar në banesat e tyre. Kjo do të thotë se asnjë prej tyre nuk do të mund të luajë në ndeshjen pasardhëse në Bundesligën austriake. Përsa i përket pjesës tjetër të skuadrës, për ta është aplikuar protokolli i përpiluar në raste të tilla. Ata nuk duhet të jenë në kontakte me persona jashtë ambientit të tyre dhe janë të lejuar të shkojnë vetëm në stërvitje dhe në stadium ditën e ndeshjes

Red Bull Salzburg pas kësaj do të shtojë numrin e testeve që do të kryejë në ditët e ardhshme  dhe shtoi se asnjë prej futbollistëve të tij nuk do të bashkohet me skuadrat kombëtare respektive në sfidat e ardhshme.

Sfidanti.al