Batler bën historinë dhe shpëton Majemin, Lebroni e lavdëron!

Ishte mbrëmja e tij, dhe i kishte thënë trajnerit se nuk kishte ndërmend të dorëzohej. “Jam në gjendje të bëj atë që kërkohet prej meje”, – tha Xhimi Batler dhe ai e bëri. Veterani shpëtoi Majemin duke siguruar fitoren në ndeshjen e tretë finale të NBA-së ndaj Lejkërsave, sukses i arritur me shifrat 115-104. Kalifornianët kryesojnë 2-1 me ndeshje. Batleri pati një tripëll dabëll me 40 pikë, 11 topa në tabela e 13 asistë, duke shtuar edhe 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Ai u bë i treti lojtar në historinë e NBA-së që realizon tripëll dabëll me 40 pikë apo më shumë në finalen e madhe. Për më tepër, ai shënoi 14 nga 20 gjuajtjet nga loja me mesatare 70 për qind, si dhe realizoi 12 nga 14 gjuajtjet personale (86 për qind).

“Ai është një nga lojtarët më të fortë të sportit tonë, – e lavdëroi Lebron Xhejmsi pas ndeshjes, – e dua shansin që të luaj ndaj tij. Nuk e di sesa shumë mundësi të tilla më mbeten, por do ta kujtoj padyshim kur ta mbyll karrierën. Do të më mungojnë duelet me Xhimin”. Vetë Lebroni pati 25 pikë, 10 topa në tabela e 8 asistë, duke iu afruar tripëll dabëllit, por Entoni Dejvisi nuk ishte në formë shumë të mirë, me vetëm 15 pikë, 5 topa në tabela e 3 asistë. Nuk dihet pse lojtari qendër nuk ishte aktiv edhe pse luajti 33 minuta, por ndoshta ishte i lodhur. Ndeshja e katërt finale luhet gjatë natës së të mërkurës sipas kohës së Shqipërisë.

Sfidanti.al