Në Angli tremben se do humbasin trofeun e Kupës të viteve 1896-1910

Një nga sendet më të vjetër e më të vlefshëm të futbollit në të gjithë botën. E tillë Kupa e Anglisë që u jepej fituesve të këtij konkurrimi në vitet 1896-1910, dhe që u shit në një ankand këto ditë për një vlerë rreth 760 000 paundë stërlina (rreth 850 000 euro). Ai që e shiti ishte bashkëpronari i klubit të Uest Hemit, Dejvid Gold, që e kishte blerë trofeun në vitin 2005 për 478 000 paundë stërlina. Goldi fitoi gati 300 000, një shifër kjo jo tepër e madhe për pasurinë e tij, por ishte thjesht një veprim i suksesshëm biznesi. Shqetësimi në Angli është tjetër, dhe ka të bëjë me faktin se ai që e bleu në ankand deshi të mbetej anonim. Pra, është frika se trofeu mund të përfundojë jashtë Britanisë së Madhe, ose mund t’i ndodhë ndonjë gjë, nëse nuk ka klauzola përkatëse në kontratën e shitjes. Kupa e Anglisë si konkurrim nisi në 1872, por trofetë që janë dhënë para viti 1896 nuk ekzistojnë më, ndërsa ky që sapo u shit është vërtet tepër i vjetër, 126-vjeçar.

Sfidanti.al