Lejkërsat e duan titullin për Lebronin, por edhe për Dejvisin!

Nuk ka përfunduar asgjë, pasi është luajtur vetëm ndeshja e parë, por në SHBA po thonë se Los Anxhelos Lejkërsat janë kampionët e rinj të NBA-së. Fitorja 116-98 ndaj Majemit në sfidën e parë të finaleve të mëdha ishte e tillë që krijoi eufori dhe besim, ndërsa në radhët e “Liqenasve” janë dy yje që e duan me patjetër titullin. Lebron Xhejmsi dihet tashmë sepse ai synon të afrohet sa më shumë me Majkëll Xhordanin, që ka 6 tituj në NBA. Lebroni mund të fitojë të katërtin këtë vit dhe është në moshën 35-vjeçare, pra nuk dihet sesa kohë i ka mbetur për të luajtur në nivele të larta.

Gjithsesi, jo më pak e do titullin Entoni Dejvisi. Shtatlarti (2.11 metra) erdhi vjeshtën e kaluar në Los Anxhelos, pasi u grind me ish-klubin e tij, Nju Orliansin, që nuk dëshironte ta lejonte. “Kam gjithë karrierën time që pres të luaj në një finale të madhe dhe të fitoj titullin, – u shpreh Dejvisi, – unë gjithnjë kam luajtur për të fituar, kam kërkuar shumë nga vetja dhe më në fund tani kam mundësinë për ta bërë këtë”. Lebroni thotë se nuk është habitur aspak. “Ai është përgatitur gjatë gjithë sezonit për këtë moment, – tha Xhejmsi, – jam i lumtur që jemi shokë skuadre. Ai ishte një forcë e madhe për ne”. Dejvisi shënoi 34 pikë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 5 asistë, ndërsa Lebroni pati 25 pikë, 13 topa në tabela e 9 asistë.

Sfidanti.al