Jo futboll në Bullgari-Angli, racizëm e protestë kundër “nomenklaturës”!

Në një kohë që elita jeton në qiellin e 7-të, për shumë njerëz të thjeshtë, deri edhe në Europën Perëndimore apo SHBA, ditët shtyhen pa shpresë. Është shumë e lehtë të drejtosh gishtin e të lëshosh akuzat mbi disa dhjetëra të rinj të paarsimuar, dhe të “pagdhendur” nga puna intelektuale, që e fituan protagonizmin e tyre duke ndërprerë dy herë ndeshjen Bullgari-Angli në stadiumin e Sofies.

Ata, pjesë virtuale e një bote globaliste, të cilën e ndjekin si mirazh nëpërmjet televizorit me më shumë reklamë sesa përmbajtje, nuk deshën të dëgjonin këshillat e “pleqve të urtë”, me llogaritë bankare të shëndosha, e me hipokrizinë edhe më të madhe se kaq. Ata janë “birtë e shekullit të ri”, ata duan “luftë prore”, anipse një luftë që mund të jetë e keqe, e errët, cinike, sadiste dhe raciste. Në fund të fundit, a nuk janë kështu shumica e luftërave?

Të rinjtë bullgarë u bënë globalë duke nderuar me përshëndetjen naziste, dhe provokuan “korrektët e politikës” me fanelat e tyre kundërkulturë, “Jo respekt” (me gjasë, si kundërshti ndaj detyrimit pa mëshirë për “respekt” nga ana e UEFA-s). Ata u kthyen në shtëpi të kënaqur, punë e madhe se ndeshja u ndërpre, punë e madhe se Federata Bullgare mund të marrë një gjobë të rëndë. Edhe drejtuesit e federatës janë pjesë e kësaj bote globaliste që mendon vetëm për vete, dhe “derri nuk pyet se i shkulin një qime”.

Vështirë të presësh korrektesë politike nga ata njerëz që kjo “me nder korrektesë” i ka lënë në bisht të shoqërisë, i ka lënë pa shkollë dhe që tani i tall se përse janë pa shkollë. Ata shkojnë për heroizma në stadium, sepse nuk kanë asnjë vend tjetër ku mund të shkojnë për t’i dhënë kuptim jetës së tyre.

Ata jetojnë në një botë ku nëse i forti vret, quhet hero, dhe nëse ai i palës tjetër bën të njëjtën gjë, quhet terrorist. Atyre u ka ardhur në majë të hundës, dhe do të shfaqen gjithnjë nëpër stadiume, sa kohë që motive kryesor i elitës të jetë maksimizimi i fitimit, që dihet se është humbje për të tjerët. Fatkeqësia është që djem të rinj si Rahim Stërling apo Markush Rashford duhet të vuajnë një ofendim për të cilin nuk kanë fat, veçse edhe ata bëjnë pjesë tek ajo elitë milionere, pavarësisht ngjyrës së lëkurës. Në fund të fundit, ky është një fatalizëm, një lloj determinizmi 80-përqindësh, që do të duhen shekuj për ta ndryshuar.

Sfidanti.al