Janis Antetokumbo, afrikani i dytë që “mbretëron” në NBA

Pasaporta e tij thotë “Greqia”, por origjina e tij direkte është nga Afrika. Janis Antetokumbo bëri një rrugë të gjatë, që kur lindi në Athinë nga dy prindër të ardhur nga Nigeria, e derisa u shpall Lojtari më i mirë i vitit në NBA. Në konkurrimin për çmimin individual, basketbollisti i Miluokit la pas mjeshtra si Xhejms Harden dhe Pol Xhorxh, ndërsa u bë afrikani i dytë që fiton trofeun. i pari ishte direkt nga Nigeria, i famshmi Hakim Olaxhuon, ai që udhëhoqi Hjustonin drejt titujve kampionë në 1994 e 1995.

Shtatlarti 2.08 metra u përlot në momentin që u shpall fitues, duke kujtuar babanë e tij që u nda nga jeta dy vjet më parë, në moshën 54-vjeçare. “Babai im do të kishte dashur të kishte qenë këtu, por nuk mundi, – u shpreh Janisi, – dy vjet më parë vendosa me veten time se do të bëhesha një ditë më i miri në botë”. Antetokumbo mori 78 vlerësime në vend të parë, ndaj 23 që mori Hardeni, dhe u shpreh se “me statistika Hardeni dhe Xhorxhi ishin ndoshta më lart se unë, por ne patëm ekip fitues dhe kjo vendosi”.

Tashmë, kapiteni i skuadrës do të synojë titullin kampion, ndërsa këtë sezon mbeti vetëm dy ndeshje lart finaleve të mëdha të basketbollit amerikan. Miluoki mori edhe vlerësime të tjera, pasi trajneri Majk Badenholzer u shpall më i miri i sezonit të rregullt, ndërsa menaxheri i përgjithshëm Xhon Horst u shpall drejtuesi më i mirë në ceremoninë e zhvilluar në Santa Monika të Kalifornisë.

Sfidanti.al