Donçiç zgjedh të thyejë rekordin përballë Zajon Uilliamsonit!

Është e vështirë të përballosh yjet më të mirë të NBA-së kur je fare i vogël. Vërtet diferenca në përvojën amerikane mes Zajon Uilliamsonit dhe Luka Donçiçit mund të mos jetë aq e madhe, por slloveni kaloi “stazhin” disavjeçar në Euroligë, kampionatin e dytë më të fortë në botë, dhe kjo u ndje fort ndërsa të dy u përballën në Dallas. Ylli i Maveriksave vendosi jo vetëm një rekord të karrierës së tij ende të paktë, por edhe tejkaloi rekordin e vetë klubit.

Ai realizoi tripëll dabëllin e 22-të, që do të thotë më shumë sesa të gjithë yjet e Dallasit përpara tij, përfshi edhe “një farë” Dirk Novicki. Donçiç pati 30 pikë, 17 topa në tabela dhe 10 asistë, të cilëve u shtoi një vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje. Bashkë me të shkëlqeu letonezi Kristaps Porzingis me 34 pikë e 12 topa në tabela, si dhe 3 asistë e 5 gjuajtje të bllokuara. Uilliamson nuk pati mbrëmjen e tij më të mirë, i mbuluar fort, dhe arriti të shënojë vetëm 21 pikë, jo keq për një 19-vjeçar, por pak për të përballuar Dallasin, që fitoi ndeshjen 127-123. Brendon Ingram (27 pikë) dhe Lonzo Boll (25) pikë, që të dy ish-lojtarë të Lejkërsave, ishin realizuesit më të mirë për miqtë. Dallasi mban vendin e 7-të në Perëndim me 38 fitore e 25 humbje, por shpreson të ngjitet të paktën deri në vendin e 4-ët.

Sfidanti.al