Atletët si “çifuti në shkretëtirë”, por Salla e Mbyllur në Tiranë përdoret si parkim!

U nis më shumë se 30 vjet më parë. Kjo ngrehinë prapa Fakultetit të Inxhinierisë në Tiranë, në zonën e njohur si 21 Dhjetori, u mendua të ishte Salla e Mbyllur e Atletikës. Investimi i filluar në mesin e viteve 80-të të shekullit të kaluar nuk u arrit të përfundohej për shkak të mungesave financiare të shtetit të atëhershëm, u la në harresë pas vitit 1990, dhe për 30 vjet këtë vazhdojnë ta vuajnë atletët shqiptarë të elitës siç janë sot Luiza Gega apo Izmir Smajlaj.

Që nga 1991-shi e sot, struktura me hekurbeton dhe e mbuluar është përdorur si treg, si stacion autobusësh ndërqytetës, dhe sot si parkim makinash, e thuhet se tokës i ka dalë pronari. Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, sqaron kështu.

“Ajo u nis si sallë indoor për atletikën dhe më gati gjysma e punës është bërë, – tha ai, – prej 30 vjetësh përdoret si treg, si stacion autobusës, si parkim makinash. i takon Bashkisë së Tiranës që e ka në ngarkim që ta përfundojë, të merret vesh me pronarin e tokës, pasi ajo sallë do t’i shërbejë jo vetëm atletikës, por edhe sporteve të tjera”.

Ja edhe opinioni i Izmir Smajlajt. “Ne atletët jemi të detyruar të lodhemi jashtë mase për të gjetur kushte për t’u stërvitur, sidomos tani në dimër, pasi në Tiranë nuk ka një sallë të mbyllur të atletikës, – u shpreh ai, – detyrohemi të shkojmë jashtë vendit dhe të bëjmë shpenzime e të kemi lodhje shtesë për t’u përgatitur”.

Nuk dihet nëse ka kryeqytet europian pa sallë të mbyllur atletike, por vështirë që të ketë. Ndërtimi i saj u pa si nevojë në sistemin e kaluar, edhe pse me vonesë, dhe fillimi i punimeve u bë i mundur nga këmbëngulja e ish-shefit të sporteve për qarkun e Tiranës, Sokol Morina. Në mesin e viteve 80-të, duke shfrytëzuar disa fonde që mund të digjeshin nga mosinvestimi, Morina projektoi planin për ndërtimin e disa objekteve sportive.

Mes tyre Salla e Mbyllur e Atletikës, një sallë e re pranë Pallatit të Sportit që quhej “Partizani” në atë kohë, e sot “Asllan Rusi”, një sallë lojrash me dorë pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”, dhe Salla e lojrave me dorë “Farie Hoti”. Të katër objektet nisën të ndërtoheshin, por vetëm “Farie Hoti”u përfundua dhe atë e administron klubi shumësportësh Tirana që varet nga Bashkia.

Projektet e tjera u lanë të papërfunduar për 30 vjet, ndërsa salla e lojrave pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”, sot është shkatërruar dhe në truallin e saj është ndërtuar një pallat shumëkatësh.