Shiko kush qenka; Hamilton, përsëri je më i shpejti në Formula 1?

Emri i gjithë këtyre ditëve, madje javëve, ishte Ferrari, pasi skuadra italiane vlerësohej si më e mira në prag të nisjes së Botërorit në Formula 1. Gjithsesi, papritur apo jo, pas dy provave të para të lira në Çmimin e Madh të Australisë, i pari në renditje u shfaq një i njohur i vjetër si Ljuis Hamilton. Piloti anglez dha kohën më të mirë me Mercedesin e tij (që të dy, kampionë të botës në fuqi), duke ndalur kronometrin në 1’22”600. Për ta përforcuar dominimin (ndoshta të përkohshëm) të skuadrës gjermane, mendoi shoku i tij Valteri Botas që doli i dyti, me vetëm 48 të mijtat më shumë.

Sebastian Fetel, rivali kryesor i Hamiltonit dhe favoriti përpara nisjes së sezonit, doli vetëm në vend të pestë me Ferrarin e tij, madje me një kohë të dobët 1’23”473. Në vend të tretë dhe të katërt dolën makinat Red Bull me pilotët e tyre, Maks Verstapen dhe Pjer Gasli. Gjithsesi, kohët në provat e lira nuk quhen zakonisht tregues të gjendjes së vërtetë të makinave, ndaj prova e vërtetë e forcës mes Mercedesit, Ferrarit dhe Red Bullit do të shihet në provat zyrtare të nesërme.

Sfidanti.al