Huliganizëm në tribunë, por klas në ring! Jubank triumfon në Gjermani!

Bëmë baba të të ngjaj dhe ai vërtet i ngjan të jatit. Kris Jubank i Riu e bëri babanë e tij krenar me fitoren e 26-të në 27 ndeshje të boksit profesionist në peshat e mesme. Britaniku kishte ndeshjen në Shtutgart të Gjermanisë ndaj turkut, Avni Jildërëm, një spektakël që rrezikoi të shkatërrohej me turp që në konferencën për shtyp. Rreziku i dytë ishte pa nisur mirë ndeshja në Sallën “Hans Martin Shlajer”, ku rreth 50 tifozë turq u përleshën me njëri-tjetrin në mënyrë të dhunshme.

U përdorën grushtet shkelmat dhe zinxhirët e hekurit që nuk dihet si kishin hyrë deri aty, ndërsa spektatorët normalë morën arratinë të tmerruar. Derisa ndërhyri policia, shumë prej pjesëtarëve të dy grupeve rivale turke kishin marrë plagë në kokë, në trup apo kishin gjymtyrë të thyera.

Jubanku nga ana e tij nuk e pati kaq të vështirë, edhe pse dhuna është profesioni i tij. Ai e sulmoi Jildërëmin që në raundin e parë dhe vazhdoi të kishte epërsi falë shpejtësisë dhe talentit, duke e hedhur nokaut në raundin e tretë. Tashmë, ai është në gjysmëfinale në Super Serinë Botërore të Boksit në peshat e mesme. Jubank është kampion i botës IBO, por synimi i tij i madh është titulli botëror në WBA.

Sfidanti.al