“Haka”, vallja maori e regbisë së Zelandës së Re mbush 134 vjeç

Është padyshim vallja dhe festimi më i famshëm sportiv në botë. Asnjë shpikje e sotme dhe asnjë traditë e dikurshme nuk mund t’i qendrojë krahasimit me të frikshmen dhe madhështoren “haka” të aktruar nga lojtarët e ekipit të regbisë së Zelandës së Re. Një traditë popullore e banorëve të lashtë vendas, të quajtur maorë, u mor dalë nga dalë nga ekipi përfaqësues i regbisë, sportit më të njohur në vend, pararendës i futbollit.

Bota e njohu në 1884, plot 134 vjet më parë, kur një ekip maorësh i Zelandës së Re shkoi për turne në Australi. Në Angli, atë që quhet atdheu i sporteve (pra edhe i regbisë), “haka” u prezantua në 1888, pra 130 vjet më parë.

Gjithsesi, haka nuk ka qenë traditë e përdorur aq dendur. Zelanda e Re nisi ta kërcente pas vitit 1905, sidomos në ndeshjet jashtë fushe. Gjithsesi, duke mos pasur shumë lojtarë me origjinë maore, haka nuk ishte gjithnjë aq e përsosur, dhe jo aq e frikshme sa është sot. Shumë herë lojtarët e ekzekutonin si me përtesë, dhe duhej të vinin vitet 70-të që të bëhej traditë e rëndësishme, ndërsa në 1987 u bë traditë e pazëvendësueshme në ndeshjet në Zelandën e Re.

Sfidanti.al