Festë e Mercedesit në garën numër 1000, fiton Hamiltoni

Ishte thuajse një procesion dhe emocionet nuk arritën të ishin të mëdha. Atmosfera ishte festime në Shangai, në Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1, pasi ky Botëror kremtonte garën numër 1 000 në histori (ndonëse ka nga ata që kanë vërejtje), por pista nuk dha konkurrencë të madhe.

Dyshja e Mercedesit bëri një parakalim përpara publikut kinez, me Ljuis Hamiltonin që kaloi që në nisje shokun e tij të skuadrës, Valteri Botasin, për të mos e lëshuar kreun deri në fund. “Nuk ishte fundjava ime më e mirë, por rezultati ishte fantastik, – tha Hamiltoni më pas, – nuk e dinim sesi do të ishim në krahasim me Ferrarin, por strategjia jonë ishte sërish shumë e mirë. Valteri bëri një garë të shkëlqyer”.

Makinat Ferrari zhgënjyen sërish, ndonëse pritej më shumë prej tyre. Sebastian Fetel e Sharl Leklerk bënë më shumë garë “mes vedi” sesa me kundërshtarët e Mercedesit. E vetmja makinë tjetër që arriti t’u qendronte pranë, madje edhe t’i ndante në fund, ishte Red Bulli i Maks Verstapenit. Holandezi fitoi një vend të katërt të merituar, duke lënë pas Leklerkun.

Duket se edhe ky sezon i Formula 1 do të jetë nën dominimin e Hamiltonit dhe të Mercedesit. Piloti anglez me shumë gjasë do të fitojë titullin e 6-të botëror, për t’iu afruar ngjitur legjendës Mikael Shumaher, që ka shtatë. Për skuadrën gjermane do të ishte titulli i 6-të në histori, ende prapa Ferrarit (16), Uilliamsit (9) apo Meklarenit (8).

Në renditjen e pilotëve këtë vit, Hamilton ka 68 pikë, Botas 62, me Maks Verstapenin të tretin me 39. Mercedesi, që ka fituar të tria garat, kryeson për skuadrat me 130 pikë, ndaj 73 të Ferrarit e 52 të Red Bullit.

Sfidanti.al