Dueli Durant-Harden dhe arbitrat në mes, tension në Golden Stejt-Hjuston!

Një përballje e denjë për finalen e madhe. Për fat të keq, Golden Stejt-Hjuston duhet të luhet në raundin e dytë të plej ofit në NBA, një gjysmëfinale e Konferencës Perëndimore. Dueli i parë shkoi në favor të vendasve, kampionë në fuqi dhe që do të kenë favorin e faktorit fushë në ndeshjen e shtatë, nëse do të jetë e nevojshme. Shifrat ishin 104-100.

Në një përballje të nivelit më të lartë të mundshëm që ofron basketbolli amerikan, pati aksione dhe kosha të mrekullueshëm, si dhe një duel të dy yjeve kryesorë, Kevin Durantit të Golden Stejtit dhe Xhejms Hardenit të Hjustonit. Dy kampionët ishin barabar me pikë, duke shënuar secili nga 35, ndonëse Duranti ishte më shumë minuta në parket.

Kontributi i tyre ishte thuajse i barabartë edhe në elementët e tjerë të basketbollit. Duranti kapi 5 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, vodhi një top e bllokoi një gjuajtje. Harden u përgjigj me 4 topa në tabela, 6 pasime për kosh dhe 3 vjedhje. Golden Stejti pati ndihmë të madhe nga lojtarët e tjerë të formacionit, si Stefën Kërri, Klej Tompson, Drejmond Grin e Andre Iguodala. Hjustoni ndërkaq mundi t’i përgjigjej vetëm me Kris Polin dhe Erik Gordonin.

Gjithsesi, miqtë nga Teksasi u ankuan për gjykimin duke akuzuar arbitrat se nuk ndëshkuan lojën e rëndë të lojtarëve nga Kalifornia. Ndeshja e dytë do të luhet po në fushën e Golden Stejtit, duke u gdhirë e mërkura me orën e Shqipërisë.

Sfidanti.al