Donovan Miçëll i afrohet Majkëll Xhordanit, por Juta humb me Denverin!

Për shumë pak pikë nuk arriti legjendën më të madhe të NBA-së, Majkëll Xhordan, si dhe yllin tjetër Elgin Bejlër. Donovan Miçëll ishte i mrekullueshëm për Juta Xhazin, në ndeshjen e humbur pas kohës shtesë 125-135 ndaj Denverit. Miçëll shënoi 57 pikë, duke u bërë lojtari i tretë me më shumë pikë në plej of, në historinë e NBA-së, pas Xhordanit me 63 dhe Bejlit me 61. Ndeshja e tij e madhe u plotësua nga 9 topa në tabela e 7asistë. Për fat të keq, Juta nuk pati shumë ndihmë për të, me vetëm 3 lojtarë që iu përgjigjën, Xho Ingles me 19 pikë, Xhordan Klarkson me 18 dhe Rudi Gober me 17.

Xhamal Marrej udhëhoqi Denverin me 36 pikë, 5 topa në tabela e 9 asistë, ndërsa “truri” i ekipit ishte serbi Nikola Jokiç me 29 pikë, 10 topa në tabela, 3 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Gjashtë lojtarë të Denverit shënuan mbi 10 pikë, në total ata patën 122 pikë, pra thuajse të gjitha pikët e skuadrës në 53 minuta. Koha e rregullt përfundoi 115-115, por në shtesë ata që ishin “vendas” u treguan më të aftë.

Sfidanti.al