Dinamo Kursk, femrat ruse të koshit, dy vjet pa humbje në Europë

Ka një Euroligë edhe për femrat dhe për momentin po e dominojnë ruset. Sunduesja e tanishme quhet Dinamo e Kurskut, ekip i qytetit që u bë legjendar nga beteja e madhe e Luftës së Dytë Botërore mes Ushtrisë së Kuqe dhe Vermahtit gjerman. Dinamo e Kurskut është vërtet si një “armatë e Zhukovit” pasi prej dy vjetësh nuk njeh humbje në kontinent.

Ekipi i drejtuar nga trajneri spanjoll, Lukas Mondelo, dhe që ka në përbërje spanjollen Ana Kruz, përfundoi fazën e rregullt të edicionit me 14 fitore në 14 ndeshje. Vjet, Kursku u shpall kampion i Europës pa asnjë humbje, dhe në dy sezone ka 32 fitore e 0 disfata. Për herë të fundit, është mundur në 11 mars 2016 ndaj ekipit tjetër rus, Nadezhda Orenburg.

Dinamo e Kurskut është vetëm shembulli i fundit i basketbollit rus në Euroligë, që është fitues por i mbështetur shumë tek lojtaret e huaja. Në 15 sezonet e fundit, ekipet ruse kanë fituar 9 herë Euroligën, përfshi Jekaterinburgun, Spartakun e Moskës apo CSKA-në e Moskës. Në kohën e Bashkimit Sovjetik, skuadra më e fortë sovjetike ishte Daugava e Rigës, ekip letonez, por në përbërje të ligës së BRSS-së. Riga u shpall 18 herë kampione e Europës në vitet 1960-1982, ndërsa në 60 edicione gjithsej të Euroligës, gjysma e tyre (27) janë fituar nga skuadrat sovjetike dhe ruse, që janë pasardhëset e ish-Superfuqisë.

Sfidanti.al