Mos e tallni ish-kampionin e boksit për gruan, përfundoni keq!

Boksi profesionist njihet si një “botë” ku morali nuk vlen asnjë grosh përpara parave dhe lavdisë. Pjesë e anës së pistë të tij është edhe parapërgatitja e ndeshjeve, me konferencat e shpifura mediatike ku boksierë të ndryshëm çfarë budallallëqesh nuk nxjerrin nga goja. Jemi mësuar të dëgjojmë më herët Majk Tajsonin, apo më pas Dejvid Hej, Derek Çisora apo Toni Belju.

Këtë herë ishte radha e një kanadezo-italiani të nxirrte broçkulla, duke ngacmuar ish-kampionin e botës, Amir Khan, lidhur me ish-gruan e tij. “Ti ke kaluar nga disfata në disfatë, – tha Fil Lo Greko, – familja, gruaja. Çfarë nuk shkon me ty, mor shok? Çfarë nuk shkon? Ti shkon dhe i shkruan në Tuiter kampionit të botës në peshat e rënda (Xhoshua) që të mos ketë të dashur ish-gruan tënde!”

Khan nuk e duroi gjatë Lo Grekon dhe menjëherë u ngrit në këmbë dhe i derdhi në kokë një gotë me ujë. Ndërhynë rojet e sigurisë që nuk lejuan sherrin. Ndeshja mes dy boksierëve të peshave gjysmë të mesme do të zhvillohët në 21 prill në Liverpul.

Sfidanti.al