Antetokumbo, Lebron, Dejvis e Donçiç, nata e yjeve në NBA

Ishin sërish aty ku duhej, duke udhëhequr skuadrat e tyre drejt sukseseve. Janis Antetokumbo, Lebron Xhejms, Entoni Dejvis dhe Luka Donçiç ndriçuan një tjetër natë yjesh në basketbollin amerikan, duke qenë sërish “një kokë” mbi të tjerët. Antetokumbo realizoi 35 pikë në fitoren 127-103 të Miluokit në fushën e Detroitit. Ky ishte suksesi i 13-të radhazi për skuadrën verilindore amerikane, seria e dytë e saj më e gjatë në histori. Andre Dramond nuk mjaftoi për Detroitin ndonëse shënoi 23 pikë e kapi 14 topa në tabela.

Lejkërsat fituan ndaj Juta Xhazit 121-96, me Lebron Xhejmsin që dha një kontribut të rëndësishëm me 20 pikë, 4 topa në tabela e 12 asistë. Shënuesi më i mirë ishte Entoni Dejvis me 26 pikë, ndërsa kapi edhe 6 topa në tabela si dhe realizoi 3 bllokime gjuajtjesh. Lejkërsat janë në krye të Konferencës Perëndimore me 19 fitore e 3 humbje, ndërsa në Lindje kryeson Miluoki po me 19 fitore e 3 humbje.

Luka Donçiç ndërkaq, gaboi shumë, por sërish bëri diferencën për Dallasin, që gjithashtu fitoi 121-114 me Minesotën. Ai vërtet shënoi 22 pikë, 7 topa në tabela e 6 asistë, por nuk ishte shumë i saktë në gjuajtje, ndërsa mori gabim teknik në pjesën e tretë. Duajt Pauell shënoi 24 pikë për Dallasin, duke realizuar të 9 gjuajtjet nga loja. Dallasi është në vend të katërt në Perëndim me 15 fitore e 6 humbje.

Sfidanti.al