Zoti nuk është me Maqedoninë kur perballet   me  Shqipërinë..

Nëse do të besonim se ekziston perëndia e futbollit, në dy ndeshjet me Maqedoninë,  ka qënë vullneti i saj që i ka dhënë më shumë peshë fatit, sesa logjikës dhe arsyes.  Të mësuar që meritat t’i gjejmë në tokë dhe jo në qiell, kur i mundëm herën e parë maqedonasit, ca kujtuan se edhe shiu që ndërpreu një ndeshje të  humbur, ishte pjesë e skemës së De Biazit. Edhe tani në ndeshjen e dytë, ku paketa e “magjisë italiane” vazhdoi me Panuçin, ka zëra që thonë se ndërhyrja  kristiane e  Panuçit në pjesën e dytë tek ndërrimet  e shpëtuan lojën, e cila  po shkonte në buzë të greminës.  Sa frikë kur e kujton edhe tani, ngaqë  na privuan nga topi dhe nga loja dhe këtë nuk e çmonim  dot si shovinizëm.Ndaj, kemi shumë arsye që Strumicës t’i gëzohemi si fitues edhe pse “vodhëm”  vetëm  1 pikë,  sidomos kur kujton se vendasit  bekuan  UEFA-n, sapo   i lejuan të luanin në një stadium të  trukuar brënda natës.Aty  ku golat dhe thirrjet mesjetare   do të zbulonin se  ky qytet ishte përzgjedhur  jo për të populluar lojën, siç predikuan nga UEFA, por, ngaqë bënin hellin me njerëz, dhe jo me bagëti.  Ky është fati ironik i futbollit zyrtar ballkanik, për të cilin kujdesen edhe ndërkombëtarët, ku  lufta të mbetet me gojë dhe jo me vepra si me Serbinë.

Shqipëria erdhi, nuk ishte në fushë dhe na mori  pikën pa pikë turpi , komentojnë me mllef mediat maqedonase, duke qortuar futbollistët se nuk ishte ndeshja ideale kur futbollistët mund të përqafoheshin në fund. Në median tonë, ka festë për pikën, si zakonisht kemi gjetur edhe  dy heronjtë e radhës, Panuçin që në pjesën e dytë, tamam si me Lihtenshtejnin,  i tha ekipit “ mjaft fjetët” dhe portierin Berisha , të cilin e quajtën “djalli me fytyrë fëmije”.  Dhe kur  heroi vjen nga porta, nuk është e vështirë të mësosh   se deklarata me gërma të mëdha se po shkojmë në Strumicë  t’i sulmojmë, madje t’u përlajmë  edhe 3 pikët, paska qënë e gatshme, e fabrikuar, e harruar në sirtar nga trajneri De Biazi. Thuhet se  është zakon Italian kur trajneri premton lojë sulmuese publikisht, ndërsa  futbollistëve u ka dhënë detyra mbrojtëse në fushë, por që ndihmohet shumë nga zakoni ynë i spikatur kur harrojmë vuajtjet e lojës , depresionin  e fortë të pjesës së parë,dhe  kërcejmë pupthi si  fitues kur marrim 1 pikë në fund…

Gëzim Sinemati

Botuar ne gazeten Panorama Sport