Spanjës ia paskemi bërë golin…

Ajo që ka ndodhur në ndeshjen Itali-Spanjë, mu në zemër të pjesës së parë, meriton të kategorizohet tek filmat “horror” të futbollit. Italianët vraponin të dëshpëruar në kërkim të topit, ndërsa spanjollët, me stilin elegant, imponues deri në despotizëm, lodronin me një stil shpërfillës. Një skenë e pabesueshme për ata që besonin se Italia e sotme ka rritur ndjeshëm koifidencën me topin. Sipas kësaj logjike, fjalët e futbollistit të Napolit, Kajehon, në adresë të shokut të tij, Hysaj, në prag të ndeshjes Shqipëri-Spanjë, janë për të qeshur, por shkaktojnë edhe frikë: ” Merrni dhe një top tjetër, sepse atë të lojës do ta zaptojnë ata”. Sigurisht, ekipi i De Biazit, e di fort mirë se nuk do të jetë si me Lihtenshtejnin, në një 90 minutësh, ku fituam pikët, por humbëm fytyrën “europiane” të lojës. Nga dehja që shkakton klasifikimi i përkohshëm, ku Spanja dhe Italia mbajnë mbi shpinë Shqipërinë, sikur nuk na bën zemra të ringjallim pyetjen fantazmë,e cila na ka ndjekur për 90 minuta: cili ishte Lihtenshtejni nga këto ekipet? Kur luanim Europianin, nuk na dukej vetja si humbës me Zvicrën dhe Francën, ngaqë ngrinim lart flamurin e vlerës së lojës. Tani, sikur të kemi harruar sjelljen “franceze” të Kombëtares , festojmë 3 pikët me Lihtenshtejnin, duke injoruar thelbin. Ka një teori, tepër ngushëlluese, se nuk mund të zbukurohesh shumë para ndeshjes me Spanjën, ngaqë iberikët ta thyejnë pasqyrën.

Kur të jemi përballë Iniestës me shokë, artizanëve të topit, ata që sunduan botën e futbollit më ëmblësi dhe jo me forcë, kemi një thes me arsye për t’u merakosur për atë që mund të ngjasë në mesfushë. Kur ke kurajon dhe pranon se me Lihtenshtejnin, 3 ditë më parë, nuk u shfaq e shëndetshme mesfusha, cili do të ishte fati i këtij reparti jetësor, kur do të na shfaqen në fushë “xhuxhat lodrues”. Ata, që tregojnë respekt për kundërshtarin kur thonë se ” Shqipëria do të jetë një kundërshtar i vështirë”, por, frikën më të madhe e kanë patur gjetiu. Si mund të pranohet të luajë Kosova me Kroacinë,në stadiumin e Shkodrës, kur disa ditë më pas do të ndeshet Shqipëri-Spanjë? E dini çfarë kanë zbuluar mediat e tyre? Se Shqipëria e ka kërkuar këtë nder, që “vëllezërit” të luajnë njëri pas tjetrit, në ditët e bekuara kur do të zgjidhej shefi i ri i UEFA-s. Në qoftë e vërtetë, “golin” ia paskemi bërë kampionëve, të janë shumë fanatikë pas gjatësisë së fijes së barit, pale t’i cënosh tapetin ku niveli i tij përcakton shkallën e magjisë së tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *