Në sulm kundër Izraelit? Po pse 4 portierë të grumbulluar..

Janë grumbulluar 4 portierë për ndeshjen me Izraelin, sikur të ishin sulmuesit e vërtetë për këtë ndeshje, e cila publikisht thirret si “finalja e vendit të tretë”. Dhe golat, më parë se vetë sulmuesit, i paska bërë Berisha kur tregon padurimin me frazën: “ Ta fitojmë këtë ndeshje dhe mundëisht me një rezultat..2-1”.  Në Kombtaren tonë të gjithë premtojnë gola sepse është një pasion që mbahet gjallë për të tundur djepin e tifozit. Edhe portierët nuk mund të rrinë duarkryq.

Do të blindohet porta jonë me 4 portierë, për një ndeshje që “dimë” edhe golat, për një ndeshje ku trajneri ka dribluar sulmuesit, duke i lënë jashtë liste. Nuk do të jetë Cikalleshi, nuk do të jetë Gashi, nuk do të jetë edhe anti-heroi Ergys Kaçe, rasti i të cilit zbulon se Xhani është edhe shqiptar, kur mban inat. Po të zhytesh me kokë  në listat e italianit, sa herë që vjen momenti zyrtar, ka “talente” që zbulohen dhe ka  të tjerë që zhduken, duke folur më shumë me vete, sesa me ata që duan të dinë për trafikun e dyshimtë kuqezi.